Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka shprehur mbështetjen e tij për Marshin për Liri, të organizuar nga platforma “Liria ka Emër”, i cili do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, me moton “Kosova po pret”.
Përmes një videomesazhi e publikuar në rrjetet sociale, Hamza u ka bërë thirrje qytetarëve për pjesëmarrje të gjerë në këtë organizim, duke e cilësuar si një ngjarje të rëndësishme për të vërtetën e luftës çlirimtare, transmeton Klankosova.tv.
“E mbështes plotësisht marshin e organizuar nga platforma ‘Liria ka Emër’, më 12 shtator në Prishtinë. I ftoj të gjitha strukturat e PDK-së, në çdo komunë, degë dhe nëndegë, që të mobilizohen dhe t’i bashkohen këtij organizimi qytetar”, ka deklaruar Hamza.
Ai ka bërë thirrje që marshi të tejkalojë ndarjet partiake, duke ftuar qytetarët e të gjitha bindjeve politike që t’i bashkohen organizimit.
Hamza ka paralajmëruar gjithashtu se deri më 16 shtator do të zhvillohen aktivitete të tjera në mbështetje të drejtësisë, lirisë dhe çlirimtarëve.


