Friday, September 11, 2026
spot_img
HomeLajmeHamza bën thirrje për pjesëmarrje masive në “Marshin për Liri”: Nesër, Kosova...

Hamza bën thirrje për pjesëmarrje masive në “Marshin për Liri”: Nesër, Kosova duhet të ngrihet në këmbë

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, u ka bërë thirrje qytetarëve që nesër t’i bashkohen “Marshit për Liri”, duke kërkuar pjesëmarrje masive në tubimin që do të mbahet në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Përmes një video-adresimi, Hamza ka kërkuar që marshi i së shtunës të shndërrohet në një prej tubimeve më të mëdha të zhvilluara ndonjëherë në Kosovë.

“Le ta shohë bota një popull që nuk e harron të kaluarën e vet, që nuk i braktis ata që i dhanë formë lirisë së tij dhe që nuk hesht kur tentohet të rishkruhet historia e tij. Më 16 shtator, presim vendimin lirues. Por nesër, flet populli. Në orën 14:00, në sheshin “Skënderbeu”, të qëndrojmë të gjithë bashkë. Për të vërtetën. Për lirinë. Për Kosovën! Për UÇK-në! Ju presim në shesh!”, tha kryetari i PDK-së.

Hamza ka thënë se pjesëmarrja në këtë marsh është një mundësi për të dëshmuar qëndrimin e qytetarëve ndaj historisë dhe vlerave që, sipas tij, lidhen me luftën dhe lirinë e Kosovës.

“Çdo brezi, të paktën një herë gjatë jetës, i kërkohet të dëshmojë se çfarë kujton, çfarë vlerëson dhe për çfarë është i gatshëm të qëndrojë. Nesër është momenti ynë. Është momenti i secilit prej jush. Nesër, Kosova duhet të ngrihet në këmbë, e bashkuar, si një trung i vetëm”, tha Hamza.

Kreu i PDK-së ka theksuar gjithashtu se liria, sipas tij, nuk duhet parë vetëm si një moment i së kaluarës, por si një përgjegjësi që duhet të mbrohet vazhdimisht.

“Marshi për Liri” do të mbahet nesër në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, duke filluar nga ora 14:00.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT