Borxhi i përgjithshëm i Barcelonës pritet të kalojë shifrën e 2 miliardë eurove gjatë sezonit 2026/27, pavarësisht se klubi katalunas ka regjistruar për herë të parë më shumë se 1 miliard euro të hyra brenda një sezoni, raporton “The Athletic”.
Llogaritë financiare të Barcelonës për sezonin 2025/26 tregojnë se klubi ka realizuar mbi 1 miliard euro të hyra, por kjo nuk ka qenë e mjaftueshme për ta mbyllur sezonin me fitim. Barcelona ka regjistruar humbje prej 17.8 milionë eurosh pas tatimeve.
Në fund të qershorit 2026, borxhi total financiar i klubit kishte arritur në 1.840 miliardë euro. Pjesa dërrmuese e kësaj shume lidhet drejtpërdrejt me projektin e rinovimit të “Spotify Camp Nou”, në kuadër të projektit Espai Barça.
Drejtuesit e klubit kanë pranuar se për përfundimin e punimeve në stadium do të nevojiten edhe 300 milionë euro të tjera huamarrje. Kjo e çon koston totale të projektit në 1.8 miliardë euro, rreth tri herë më shumë se shuma e parashikuar fillimisht kur projekti u miratua 12 vjet më parë.
Borxhi i Barcelonës ka vazhduar të rritet edhe pas përfundimit të vitit financiar. Që nga fundi i qershorit, klubi ka emetuar edhe 105 milionë euro borxh përmes obligacioneve senior me afat 10-vjeçar.
Me këtë rritje, Barcelona është gjithnjë e më pranë shifrës prej 2 miliardë eurosh, të cilën pritet ta tejkalojë gjatë sezonit 2026/27.
Një tjetër shqetësim për financat e klubit janë kostot e interesit. Pagesat e Barcelonës për interesa gjatë sezonit të kaluar kanë kaluar 90 milionë euro, duke shtuar presionin mbi financat e klubit.
Situata është veçanërisht problematike te detyrimet afatshkurtra. Detyrimet që Barcelona duhet t’i paguajë gjatë sezonit 2026/27 arrijnë në 905 milionë euro, ndërsa asetet afatshkurtra të klubit janë vetëm 529 milionë euro.
Kjo krijon një kapital qarkullues negativ prej 376 milionë eurosh.
Megjithatë, treguesit bazë të përfitueshmërisë kanë shënuar përmirësim dhe të hyrat e klubit vazhdojnë të rriten. Pavarësisht kësaj, shifrat tregojnë se Barcelona ende përballet me sfida të mëdha financiare.
Rritja e borxhit, kostot e larta të interesit dhe vonesat në projektin e stadiumit kanë krijuar një situatë ku drejtuesit e klubit do të duhet të fokusohen fuqishëm në rifinancimin e shumave të mëdha.
Barcelona duhet të gjejë zgjidhje për këto detyrime përpara afateve të ardhshme të pagesave, në mënyrë që të shmangë presionin edhe më të madh financiar në vitet e ardhshme.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


