Një fustan i veshur nga Princesha Diana në një festë në Londër, pak orë pasi u transmetua një dokumentar ku Princi i atëhershëm Charles pranoi se kishte tradhtuar bashkëshorten gjatë martesës së tyre, do të dalë në ankand.
Mbërritja e saj mbresëlënëse në “Serpentine Gallery” në vitin 1994, e veshur me një fustan mbrëmjeje prej mëndafshi të zi të punuar posaçërisht nga stilistja Christina Stambolian, u shndërrua në një moment ikonik. Mediat e quajtën veshjen e saj “fustani i hakmarrjes”.
Shtëpia e ankandeve “Sotheby’s” parashikon se fustani mund të arrijë një shifër deri në 220,000 paund kur të dalë në shitje më 9 dhjetor.
Në një njoftim për shtyp, “Sotheby’s” bëri të ditur se kjo është hera e parë që fustani del në ankand që nga viti 1997, kur princesha e ndjerë shiti 79 nga fustanet e saj për të mbledhur fonde për bamirësi.
Princesha bëri një ndryshim të minutës së fundit në veshje për darkën e bamirësisë dhe zgjodhi fustanin e mbrëmjes pa rripa supesh, të cilin e kombinoi me një bizhuteri mbretërore, një çantë dore të zezë dhe këpucë të zeza me taka.
Makina “Jaguar XJ40” e stilit klasik, me të cilën Diana mbërriti në event, u shit në ankand më herët gjatë këtij viti për 66,250 paund. “Fustani i hakmarrjes” pritet të arrijë një çmim dukshëm më të lartë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


