Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, e ka kundërshtuar konstituimin e sotëm të Kuvendit, duke pretenduar se procesi është zhvilluar jashtë afateve të përcaktuara me Kushtetutë.
Në një konferencë për media, Gruda tha se afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit, sipas interpretimit të PDK-së, ka përfunduar më 7 gusht. Ai kritikoi edhe Vetëvendosjen për mosrespektimin e afatit politik të 6 shtatorit, të cilin, sipas tij, kjo parti e kishte vendosur vetë.
Gruda njoftoi se PDK-ja është larguar përkohësisht nga procesi parlamentar me qëllim që çështjen ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese. Megjithatë, ai theksoi se kjo nuk nënkupton tërheqjen e kandidaturës së PDK-së për nënkryetare të Kuvendit.
“Ne vetëm jemi larguar nga ky proces, nuk thotë që ne refuzojmë propozimin. Ne tërhiqemi përkohësisht derisa Gjykata të vendosë”, tha Gruda.
Sipas tij, përderisa PDK-ja nuk e ka tërhequr zyrtarisht propozimin për nënkryetare, Kuvendi nuk mund të konsiderohet i konstituuar.
“Ky Kuvend është formuar me pikëpyetje të mëdha kushtetuese. Të gjitha këto do të adresohen në Gjykatën Kushtetuese në ditët në vijim”, deklaroi ai.
Deputeti i PDK-së bëri të ditur gjithashtu se partia do ta kontestojë në Gjykatën Kushtetuese edhe zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës.
Ai përmendi si një nga çështjet që do të kundërshtohen edhe votat e deputetëve të cilët, sipas tij, kanë pasur mandate të dyfishta.
Gruda tha se PDK-ja do të shqyrtojë dhe kontestojë në Gjykatën Kushtetuese edhe vendimet e tjera që do të merren nga ky Kuvend.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


