Ambasadori Richard Grenell, dikur i dërguari special i Presidentit Trump me misione speciale të SHBA, dhe sot i afërt me administratën e tij, ka kritikuar ashpër Gjykatën e Hagës pas vendimit për të dënuar me 81 vite burg 4 ish-liderët e UCK-së, duke thënë se vendimi ishte i motivuar politikisht.
Në një intervistë për Top Channel, ai tha se Kosova nuk ka nevojë për një gjykatë në Holandë që të vendosë për këtë shtet dhe popullin e saj.
“Kosova dhe gjykatat e Kosovës duhet të vendosin për të ardhmen e Kosovës dhe për çështjet që janë të rëndësishme. Nuk kemi nevojë për një gjykatë në Holandë që të marrë vendime për Kosovën.
Ti shikon që jepet një gjykim i tillë dhe ti mendon se është i ndikuar politikisht.
Mendoj se SHBA-ja do të bëjë atë që është në interesin më të mirë të SHBA-së dhe Kosova duhet të bëjë të njëjtën gjë, të veprojë në interesin e saj, të veprojë në emër të Kosovës dhe jo të lejojë që një gjykatë ndërkombëtare të vendosë për të, por ta përballojë vetë këtë situatë.
Nuk mendoj se SHBA-ja, Trumpi apo këto probleme të jashtme do të kenë të bëjnë me këtë gjë. Mendoj se problemi është që të mos përdoren gjykata që marrin vendime të ndikuara politikisht.
Duhet ta vendosë kryeministri dhe Parlamenti se cili do të jetë hapi. Mendoj se gjykatat e Kosovës duhet t’i vendosin vetë këto çështje”, tha Richard Grenell.
Grenell propozoi një ditë më parë, menjëherë pasi u dha vendimi për ish-liderët e UCK-së që institucioni në Hagë të mbyllej, duke e cilësuar atë “një gjykatë radikale”.


