Gjykata Themelore në Ferizaj ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj tre të dyshuarve të përfshirë në një skemë mashtrimi me kriptovaluta, rast të cilin Sinjali e kishte raportuar ekskluzivisht më herët.
Bëhet fjalë për Valdrin Neziri, Artan Limani dhe Redon Jahija, të cilët dyshohen se në bashkëpunim kanë organizuar një skemë të sofistikuar mashtruese, duke u prezantuar si investitorë dhe duke bindur qytetarët për investim në kriptovalutën USDT.
Sipas dosjes hetimore, të dyshuarit kishin marrë një lokal me qira në Ferizaj dhe përmes një skeme të mirëplanifikuar, kishin arritur t’u marrin tre viktimave shumën prej 12 mijë euro, duke përdorur edhe një dollap të modifikuar për fshehjen e parave.
Gjykata ka vlerësuar se ekzistojnë prova të mjaftueshme për dyshimin e bazuar për veprën penale “Mashtrimi”, duke aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit.
Sinjali kishte raportuar ekskluzivisht se grupi dyshohet se kishte tentuar të përsëriste të njëjtën skemë edhe në Kaçanik, ku policia kishte ndërhyrë në momentin kritik, duke arrestuar dy prej tyre, ndërsa njëri kishte arritur të arratisej përkohësisht.
Hetimet ndaj rastit po vazhdojnë, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e viktimave të tjera të kësaj skeme.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.


