Një gjykatë federale në Nju Jork ka rrëzuar politikën e administratës së Donald Trumpit për pezullimin e shqyrtimit dhe lëshimit të vizave imigruese për qytetarët e 75 shteteve, përfshirë Kosovën.
Gjykatësja federale Jeannette Vargas e cilësoi politikën si të kundërligjshme, duke thënë se sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, kishte tejkaluar kompetencat e tij ligjore.
Vendimi i administratës amerikane kishte hyrë në fuqi më 21 janar dhe u kërkonte zyrtarëve konsullorë të refuzonin vizat imigruese për shtetasit e vendeve të përfshira në listë, pavarësisht nëse aplikuesi individualisht i plotësonte kushtet për vizë.
Sipas gjykatës, vendimi ishte i gabuar pasi vlerësimi i aplikimeve duhet të bëhet nga zyrtarët konsullorë për secilin person veçmas dhe jo vetëm në bazë të shtetësisë së tij.
Kosova ishte në mesin e 75 shteteve të prekura nga kjo masë. Në listë ishin edhe Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina, si dhe shtete si Afganistani, Iraku, Nigeria, Somalia dhe Jemeni.
Administrata amerikane e kishte arsyetuar pezullimin me shqetësimet se disa emigrantë mund të bëheshin të varur nga ndihmat sociale në SHBA.
Gjykata ka urdhëruar që refuzimet e vizave të bëra vetëm në bazë të kësaj politike të rishikohen. Administrata Trump mund ta apelojë vendimin.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


