“Maskaradë” dhe “lojë për të blerë kohë” – kështu e ka cilësuar kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, situatën e krijuar sot në Kuvend, ku seanca konstituive u ndërpre dy herë për shkak të përplasjeve mes partive rreth zgjedhjes së nënkryetarëve. Sipas Gjinit, e gjithë kjo po bëhet për t’i hapur rrugë caktimit të zgjedhjeve më 27 dhjetor, edhe nëse çmimi është, siç ka thënë ai, “shkatërrimi i institucioneve të shtetit”.
“Kjo maskaradë që ndodhi sot në Kuvend është lojë e pastër për të blerë kohë, që zgjedhjet t’i caktojnë më 27 dhjetor. Kjo edhe nëse çmimi është shkatërrimi i institucioneve të shtetit”, ka deklaruar Gjini.
Seanca konstituive u ndërpre fillimisht pasi PDK-ja lëshoi sallën, pas mosvotimit nga VV-ja të Vlora Çitakut për nënkryetare të Kuvendit. Kjo ndodhi pasi PDK-ja kishte votuar kandidatin e VV-së, Ardian Golën, për të njëjtën pozitë.
Pas largimit nga salla, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, deklaroi se partia e tij nuk ka më arsye të marrë pjesë në asnjë seancë dhe paralajmëroi se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.
Seanca u ndërpre për herë të dytë pasi edhe LDK-ja lëshoi sallën, duke kundërshtuar insistimin e VV-së që në votim të hidhej kandidatura e Kujtim Shalës për nënkryetar të Kuvendit.
Nga LDK-ja thanë se, pa u zgjedhur nënkryetari nga partia e dytë, nuk është e drejtë që të zgjidhet ai nga partia e tretë.
Gjini ka thënë se zhvillimet e sotme në Kuvend nuk janë të rastësishme dhe se, sipas tij, ato lidhen drejtpërdrejt me caktimin e datës së zgjedhjeve.
“Asgjë që po e shihni nuk është e rastësishme. Është zgjedhja e datës së zgjedhjeve. Po e nëpërkëmbin shtetin, po e nëpërkëmbin të ardhmen tuaj. Mos i votoni më. Mos lejoni ta shkatërrojnë Kosovën”, ka thënë ai.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos i votojnë më, siç i ka quajtur, njerëzit që po e dëmtojnë shtetin dhe demokracinë.
Sipas Gjinit, Kosova do të shkojë në zgjedhje, ndërsa ka thënë se qytetarët dhe partitë politike kanë përgjegjësi për ta mbrojtur shtetin dhe demokracinë.
“Kemi me shku në zgjedhje, se vetë po duan me shku në zgjedhje. Është detyrë e jona, e juaja, me mbrojt shtetin e me mbrojt demokracinë nga shkatërrimi që po ia shkaktojnë këta njerëz”, është shprehur Gjini.
Vazhdimi i seancës konstituive është thirrur për të dielën, në orën 10:00.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


