Shembja e dheut në zonën e Rrugës A ka bërë që autoritetet të ndërmarrin masa për largimin e rrezikut për banorët dhe sigurinë publike.
Sipas Drejtorit të Emergjencave, Lulzim Fushtica që foli për Klan Kosova, rrëshqitjet e dheut kanë nisur pas punimeve për rregullimin e kësaj rruge, ndërsa si shkak është përmendur edhe përbërja e tokës dhe prania e ujit në këtë zonë.
Fushtica ka deklaruar se që nga viti 2024, kur kanë nisur punimet në Rrugën A, janë ndërtuar mure mbështetëse, por pavarësisht kësaj ka pasur rrëshqitje të vazhdueshme të dheut.
Ai ka bërë të ditur se banorët e këtyre shtëpive janë evakuuar që dy vite dhe se komuna u ka subvencionuar qiranë për banim. Sipas tij, deri më tani nuk ka pasur rrezik për jetën e qytetarëve, pasi janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme.
“Këto shtëpi janë të ndërtuara në pronë komunale dhe janë ndërtime pa leje. Pavarësisht kësaj, ne kemi marrë përgjegjësi që të kujdesemi për banorët”, tha Fushtica.
Ai ka njoftuar se Drejtoria e Inspeksionit ka nxjerrë vendim që këto objekte të rrëzohen, me qëllim eliminimin e rrezikut të mëtejshëm për hapësirën dhe sigurinë publike.


