Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka takuar të mërkurën në Shkup Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Transportit të Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Nikoloski.
Sipas njoftimit të MIT, ndër çështjet e diskutuara ishte edhe projekti strategjik i rrugës Prizren-Tetovë dhe ai i tunelit që pritet t’i lidhë dy vendet tona.
“Projekti Prizren-Tetovë është tashmë në proces, ndërsa ekipet tona teknike janë duke bashkëpunuar në hartimin e projektit. Sot u dakorduam që ky bashkëpunim të intensifikohet, të finalizohet sa më shpejt hartimi i projektit dhe më pas të vazhdojmë me procedurat për kontraktimin dhe realizimin e tij. Ky është një projekt me rëndësi të jashtëzakonshme, i cili përmes tunelit do ta shkurtojë ndjeshëm distancën ndërmjet Prizrenit dhe Tetovës, duke krijuar një korridor të ri dhe shumë të rëndësishëm ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut”, citohet të ketë thënë Basha, raporton Klankosova.tv.
Për më tepër, ministri tha se është diskutuar edhe për avancimin e lidhjeve të tjera rrugore dhe hekurudhore ndërmjet dy vendeve, përfshirë autostradën Prishtinë-Shkup, rikthimin e komunikacionit hekurudhor dhe funksionalizimin e një stacioni të përbashkët hekurudhor kufitar, “One Stop Shop”.
Edhe ministri maqedonas, Aleksandar Nikoloski, pas takimit tha se ndërtimi i autostradës Shkup-Bllacë, si një lidhje e rëndësishme transporti ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, do të kontribuojë në transport më të shpejtë dhe më të sigurt, lidhje më të madhe ekonomike dhe zhvillimin e bashkëpunimit ndërkufitar.
Ai po ashtu theksoi se u bisedua edhe për projektin e ndërtimit të rrugës Tetovë-Prizren, “i cili paraqet një projekt të rëndësishëm infrastrukturor për lidhjen e mëtejshme të dy vendeve dhe avancimin e mobilitetit rajonal”.
“Ky projekt është në proces, ndërsa grupi punues i të dyja vendeve do të vazhdojë punën për finalizimin e projektimit të tij, pas së cilës do të vijojë nënshkrimi i marrëveshjeve ndërshtetërore për zbatimin e tij”, u shpreh Nikoloski. /Klankosova.tv


