Opinionisti Dardan Sejdiu ka paralajmëruar se Kosova rrezikon të mbetet jashtë një prej projekteve më të rëndësishme energjetike dhe strategjike në rajon, duke theksuar se çështja e gazit natyror nuk lidhet vetëm me energjinë, por edhe me sigurinë kombëtare dhe pozicionimin gjeopolitik të vendit.
Në emisionin Rubikon në Klan Kosova, Sejdiu tha se debati publik shpesh po fokusohet gabimisht te përdorimi i gazit në amvisëri, ndërsa sipas tij, thelbi i projektit ka të bëjë me infrastrukturën energjetike.
Gazi është infrastrukturë, është kurrizi i diversifikimit dhe i strategjisë nacionale të sigurisë. Nuk po flasim për gazifikimin e shtëpive apo për shporetet me gaz. Po flasim për infrastrukturë strategjike”, deklaroi Sejdiu.
Ai tha se projekti për ndërlidhjen Prishtinë-Shkup përmes gazsjellësit nuk kërkon investime të papërballueshme.
Hapi i parë është një gyp që kushton rreth 70 milionë euro. Vetëm 70 milionë euro. Me këtë investim, Kosova i thotë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian dhe partnerëve të saj se dëshiron të jetë pjesë e arkitekturës së pavarësisë energjetike dhe të sigurisë nga ndikimi rus”, u shpreh ai. Fqinjët po investojnë 1.2 miliard euro, Kosova po mbetet jashtë”
Sejdiu tha se vendet e rajonit tashmë kanë nisur investime të mëdha në infrastrukturën e gazit, ndërsa Kosova po mbetet prapa.
Ministri grek i Energjisë, ministri serb dhe ministri maqedonas po flasin për korridorin vertikal të gazit dhe për investime prej 1.2 miliard eurosh në infrastrukturë. Fqinjët tanë po investojnë për të siguruar qasje në gaz dhe Kosova rrezikon të mbetet jashtë kësaj infrastrukture”, tha ai.
Sipas tij, Serbia dhe Maqedonia e Veriut po sigurojnë kapacitete të konsiderueshme energjetike nga terminali i Aleksandropolisit në Greqi.
Opinionisti theksoi gjithashtu se procesi ndodhet ende në fazën e zotimeve dhe jo të investimeve përfundimtare, duke lënë hapësirë që Kosova të përfshihet.
Sipas Sejdiut, kjo është arsyeja pse përfaqësuesit ndërkombëtarë po insistojnë që Kosova të marrë vendim në kohë.
Po na thuhet se ekziston një mundësi që zotimet e shteteve përreth të sfidohen nëse Kosova futet në këtë proces. Kjo është arsyeja pse tema po ngrihet vazhdimisht”, shtoi ai.
Ai shtoi se vendet e rajonit po investojnë pikërisht për shkak të dimensionit strategjik të projektit.
Në fund, ai kritikoi idetë alternative që, sipas tij, nuk e adresojnë problemin strategjik të vendit.


