Mbrëmjen e së dielës, disa zona në Komunën e Lipjanit janë përfshirë nga zjarri.
Flakët kanë përfshirë edhe hapësira në fshatin Smallushë, ku sipas banorëve, zjarri i është ofruar edhe oborrit të shkollës.
Sipas pamjeve të dërguara në redaksinë e Klankosova.tv, shihen flakë të mëdha që janë përhapur pas djegieve të hamulloreve.
Ndërkaq, në terren kanë dalë ekipe të zjarrfikësve dhe sipas tyre, situata është nën kontroll dhe nuk paraqet rrezik për qytetarët.
Komandanti i Njësisë së Zjarrfikësve në Komunën e Lipjanit, Sadri Shamolli ka bërë të ditur për Klankosova.tv se bëhet fjalë për dy-tri raste zjarresh, të cilat dyshohet se janë shkaktuar nga ndezja e mbetjeve nga vetë qytetarët.
Janë dy-tri vende që janë përfshirë nga zjarri, por janë zjarre që i kanë ndezur vetë qytetarët. Sipas ekipeve në terren nuk ka rrezik dhe nuk ka persona të lënduar”, ka deklaruar Shamolli.
Ndryshe, gjatë natës së sotme, edhe në disa zona të tjera të Lipjanit janë raportuar për vatra të zjarrit, por që sipas ekipeve në terren, ato janë lokalizuar dhe nuk kanë paraqitur rrezik për shtëpitë ose qytetarët. /Klankosova.tv


