Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ilir Ferati, ka shprehur besimin e tij se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, do të marrë mbështetje edhe më të madhe sesa në kuvendin e partisë që u mbajt në janar.
Në Rubikon të LDK-së, ai tha se e pret këtë rezultat bazuar në punën e kreut të partisë gjatë këtyre viteve.
“Unë kam bindje të plotë që rezultati do të jetë me diferencë të konsideruar. Në bazë të punës që është bërë, duke e ruajt sigurisht në çdo moment edhe delegatin, edhe aktivistin, edhe degët, edhe njerëzit që janë të dëshmuar ndër vite, mendoj që rezultati ka me qenë edhe më i thellë se në janar”, potencoi Ferati, raporton Klankosova.tv.
Ai u shpreh se është i mendimit që “zoti Abdixhiku duhet të vazhdojë deri në kuvendin e rregullt LDK-së”.
“Mendoj që ende ka çka për t’i dhënë LDK-së dhe mendoj që është një prej kryetarëve që ka qenë jashtëzakonisht aktiv edhe një prej kryetarëve më punëtorë në kuptim të terrenit edhe të riorganizimit e të organizimit të LDK-së për krejt këto vite”, deklaroi ndër të tjera Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së.
Ai tha se Abdixhiku e ka marrë udhëheqësinë e partisë në situatë të rëndë.
“Ne e dimë në çfarë situate e ka marrë LDK-në me udhëheq zoti Abdixhiku edhe e dimë që ka mbrri me ruajt një kohezion e unitet për një kohë goxha të gjatë ani pse LDK-ja… jo LDK-ja, por Kosova pothuajse vit pas viti është shkuar në një palë zgjedhje të cilat herë jemi qenë më të suksesshëm, herë me rezultat jo të kënaqshëm, mirëpo nuk duhet me na përcaktu mendoj diçka për të cilën jemi të gjithë përgjegjës dhe ai është rezultati zgjedhor. Përbrenda listës së LDK-së kemi qenë të gjithë, secila degë, të përfaqësuar edhe rezultati që kemi mbërrirë është rezultat i të gjithëve. Normalisht që me të drejtë përgjegjësia dhe vendimmarrja më e madhe i takon kryetarit të partisë por nuk do duhej të na i përcaktonte deri në këtë shkallë sjelljet tona politike”, u shpreh Ferati.
Ai tha se Abdixhiku mund të mbetet kryetar edhe me vetëm një votë plus, por “në kuptim të autoritetit moral, pastaj ajo mbetet te gjykimi politik i zotit Abdixhiku se qysh vendos tutje”.
Kuvendi i Jashtëzakonshëm i LDK-së është thirrur për të enjten nga ora 18:00. /Klankosova.tv


