Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (IFJ) ka shprehur mbështetje për gazetarët dhe mediat në Kosovë që së fundmi janë përballur me gjoba nga Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), duke paralajmëruar se masat ndëshkuese ndaj mediave kritike mund të cenojnë lirinë e shtypit dhe standardet demokratike.
Përmes një mesazhi të publikuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), presidentja e IFJ-së, Zuliana Lainez, theksoi se çdo formë rregullimi e mediave duhet të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe të mos përdoret për të kufizuar zërat kritikë.
“Dua të konfirmoj mbështetjen e Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve për gazetarët në Kosovë dhe për organizatën tonë anëtare. Për ne, asnjë lloj rregullimi nuk duhet të cenojë rendin juridik ndërkombëtar dhe respektimin e lirisë së shtypit”, deklaroi Lainez transmeton Klankosova.tv.
Ajo kritikoi vendosjen e sanksioneve financiare ndaj mediave që mbajnë qëndrime kritike, duke e cilësuar një praktikë të tillë si formë të censurës.
“Vendosja e sanksioneve ekonomike ndaj mediave që janë kritike është një formë censure. Demokracia ka nevojë për gazetari të lirë. Solidaritet me kolegët tanë”, tha presidentja e IFJ-së.
Reagimi vjen në një kohë kur debatet për lirinë e medias dhe pavarësinë editoriale në Kosovë kanë nxitur shqetësime brenda dhe jashtë vendit.
Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve është organizata më e madhe globale e gazetarëve, që përfaqëson rreth 600 mijë profesionistë të medias përmes 187 sindikatave dhe asociacioneve në më shumë se 140 vende të botës.


