Një banor nga lagjja Dardani e Gjakovës i është drejtuar Gazetës Sinjali me ankesë për zhurmën që, sipas tij, po shkaktohet nga fabrika “Comodita Home”, në pronësi të kompanisë Devolli, e cila ishte përfshirë nga zjarri në janar të vitit 2026.
Përmes një videoje të dërguar në redaksi, banori pretendon se zhurma është e vazhdueshme dhe po i shqetëson seriozisht banorët, veçanërisht gjatë natës.
Sipas tij, fabrika pas djegies është lënë pas dore, ndërsa zhurmat që vijnë nga objekti po ua vështirësojnë banorëve gjumin dhe pushimin.
“Zhurma është e vazhdueshme dhe po na pengon seriozisht të flemë, të pushojmë dhe të qëndrojmë të qetë në shtëpitë tona. Këto zhurma po na shqetësojnë jashtëzakonisht shumë”, ka shkruar banori.
Ai ka kërkuar ndërhyrjen e institucioneve përkatëse për adresimin e kësaj situate.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


