Friday, August 14, 2026
spot_img
HomeLajmeEmiratet akuzojnë Iranin për sulm me dronë ndaj dy cisternave në Ngushticën...

Emiratet akuzojnë Iranin për sulm me dronë ndaj dy cisternave në Ngushticën e Hormuzit

Emiratet e Bashkuara Arabe kanë akuzuar të premten Iranin se ka sulmuar me dronë dy cisterna nafte të kompanisë shtetërore ADNOC, teksa anijet po kalonin nëpër Ngushticën e Hormuzit.

Sulmi ndodhi të enjten në mbrëmje dhe shkaktoi dëme të vogla në të dyja anijet, ndërsa nuk pati persona të lënduar. Kompania ADNOC bëri të ditur se situata është vënë nën kontroll, raporton AP.

Ministria e Jashtme e Emirateve të Bashkuara Arabe e cilësoi sulmin si “shkelje flagrante” të parimeve të Kombeve të Bashkuara për lirinë e lundrimit, duke e akuzuar Iranin për akte piraterie.

Sipas ministrisë, përdorimi i Ngushticës së Hormuzit si mjet presioni ekonomik përbën kërcënim të drejtpërdrejtë për stabilitetin e rajonit dhe sigurinë globale të energjisë.

Qendra britanike për Operacionet e Tregtisë Detare konfirmoi se dy anije pësuan dëme të vogla nga sulmet me dronë gjatë kalimit nëpër Ngushticë. Megjithatë, ajo nuk konfirmoi nëse bëhej fjalë për cisternat e ADNOC-ut.

Irani nuk ka reaguar ende ndaj këtyre akuzave.

Ngushtica e Hormuzit është një nga rrugët më të rëndësishme detare në botë për transportin e naftës dhe gazit nga Gjiri Persik drejt tregjeve ndërkombëtare.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT