Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka njoftuar se sot pritet të përfundojë procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë, njofton Klan Kosova.
Ai po ashtu tha se po sot pritet të bëhet edhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike.
“Përveç përfundimit të numërimit të fletëvotimeve që u takojnë 30 përfaqësive diplomatike, gjatë ditës së sotme, presim që të përfundojë procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë, dhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime të dielën në mbrëmje, edhe në komunën e Prishtinës”, tha Elezi për Klanin.
“Kësisoj, ky moment do të shënonte përfundimin e aktiviteteve në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës, në 38 sosh, ku gjatë këtyre ditëve janë zhvilluar këto dy aktivitete kryesore që kanë të bëjnë me fletëvotimet nga vendvotimet e rregullta”.


