Një person i kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar është ekstraduar nga Shqipëria për në Kosovë.
Sipas policisë, ekstradimi është realizuar sot në pikën kufitare në Vërmicë nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor (ILECU), në koordinim me njësitet relevante policore dhe institucionet e drejtësisë, transmeton Klankosova.tv.
Mes tjerash, personi ishte arrestuar në Shqipëri në bazë të një urdhërarresti ndërkombëtar të lëshuar përmes INTERPOL-it nga institucionet e drejtësisë së Kosovës.
Ai ishte në kërkim për veprën penale “Vrasje”, për të cilën është dënuar me 11 vjet e 6 muaj burgim.
Pas përfundimit të procedurave të ekstradimit, i dënuari iu dorëzua njësive përkatëse të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë.
Ai pritet të dërgohet në qendrën korrektuese për vuajtjen e dënimit.
Policia e Kosovës ka vlerësuar se ky ekstradim është realizuar falë bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë, ndërsa ILECU ka thënë se do të vazhdojë bashkëpunimin ndërkombëtar për lokalizimin dhe arrestimin e personave të kërkuar për vepra penale.


