Tre anëtarë të ekuipazhit kanë humbur jetën pasi një anije tregtare është goditur nga një predhë teksa ndodhej në Ngushticën Bab al-Mandeb, në Detin e Kuq.
Sipas Reuters, anija “Tihamah”, me flamur të Tanzanisë, u godit të martën pranë brigjeve të Jemenit, ndërsa viktimat janë dy shtetas pakistanezë dhe një indonezian.
Burime të rojës bregdetare dhe zyrtarë ushtarakë jemenas kanë thënë se sulmi dyshohet se është kryer nga Houthët. Grupi deri më tani nuk e ka marrë zyrtarisht përgjegjësinë.
Operacionet Detare Tregtare të Mbretërisë së Bashkuar (UKMTO) kanë konfirmuar se një anije mallrash pranë al-Mokha ishte goditur nga një predhë e paidentifikuar dhe se nga incidenti kishte viktima.
Kompania britanike e sigurisë detare Ambrey ka bërë të ditur se anija nuk ishte në pronësi apo operim saudit në momentin e sulmit. Sipas të dhënave të LSEG, pronari dhe menaxheri i saj figuron një kompani egjiptiane.
Houthët kishin shpallur muajin e kaluar një bllokadë detare kundër Arabisë Saudite në Detin e Kuq, duke paralajmëruar sulme ndaj anijeve të lidhura me mbretërinë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


