Policia e Kosovës ka realizuar dy ekstradime nga shtetet e huaja drejt Kosovës, në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar policor dhe juridik.
Sipas Policisë, më 12 gusht 2026, nga Gjermania është ekstraduar shtetasi kosovar M.T., i cili kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë. Ai dyshohet për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Pas ekstradimit, i dyshuari iu dorëzua njësive përkatëse të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë për procedura të mëtejshme ligjore.
Ndërkaq, më 13 gusht 2026, nga Hungaria është ekstraduar në Kosovë shtetasi i Serbisë I.S., i cili gjithashtu kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar për të njëjtën vepër penale.
Edhe I.S. iu dorëzua njësive përkatëse të Policisë së Kosovës në Prishtinë për procedurat e mëtejshme.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se këto ekstradime u mundësuan falë bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe autoriteteve të Gjermanisë dhe Hungarisë.
Përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor (ILECU), Policia ka thënë se do të vazhdojë bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet partnere dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim parandalimin, hetimin dhe zbulimin e aktiviteteve kriminale, si dhe lokalizimin dhe arrestimin e personave të kërkuar brenda dhe jashtë vendit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


