Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave ndër ta ish-sekretarin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe tre personave të tjerë B.R., B.H., R.Q. dhe N.L., nën dyshimin se kanë keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar gjatë zbatimit të një kontrate për mirëmbajtjen e urave në rrugët nacionale dhe rajonale të Kosovës.
Sipas aktakuzës, të pandehurit, në cilësinë e personave zyrtarë në Ministrinë e Infrastrukturës, gjatë periudhës nga 2 gushti 2017 deri më 26 nëntor 2020, dyshohet se kanë tejkaluar kompetencat ligjore dhe nuk kanë përmbushur detyrat zyrtare në lidhje me kontratën publike “Mirëmbajtja e Urave në Rrugët Nacionale dhe Rajonale të Kosovës për vitet 2017–2019”.
Prokuroria Speciale thotë se aktiviteti i prokurimit ishte iniciuar me një vlerë të parashikuar prej 500 mijë eurosh, ndërsa në fund për kontratën janë realizuar pagesa në vlerë prej 5,377,058.07 eurosh.
“Të pandehurit kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik, të Rregullores dhe Udhëzimit Operativ për Prokurim Publik, si dhe me Rregullën Financiare për Shpenzimet e Parasë Publike”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.
Sipas aktakuzës, një tjetër parregullsi lidhet me raportet e punimeve. Prokuroria pretendon se janë “nënshkruar dhe certifikuar raporte të punimeve me sasi shumëfish më të larta se ato të parapara në dosjen e tenderit”.
Këto punime, sipas aktakuzës, janë kryer “pa aneks-kontratë, pa procedurë të re prokurimi dhe pa verifikim të rregullt nga komisioni i pranimit të punëve”.
Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës që ndaj të pandehurve, krahas dënimit për veprën penale, të shqiptohet edhe dënimi plotësues – ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik.
Pretendimet e përfshira në aktakuzë përbëjnë qëndrimin e Prokurorisë dhe duhet të vërtetohen në procedurën gjyqësore.


