Monday, September 28, 2026
spot_img
HomeLajmeEkskluzive | Tre armë e 139 fishekë gjenden në shtallë në Leposaviq...

Ekskluzive | Tre armë e 139 fishekë gjenden në shtallë në Leposaviq – pronari mohon se janë të tij, por përfundon në mbajtje

Një arsenal armësh dhe municioni është zbuluar mëngjesin e së dielës në fshatin Dren të Leposaviqit, gjatë një operacioni të zhvilluar mbi bazën e informatave operative.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rreth orës 05:00, njësia SE-20 ka kontrolluar një shtallë në këtë fshat, ku janë gjetur tri armë dhe gjithsej 139 fishekë të kalibrave të ndryshëm.

Në mesin e armëve të gjetura janë një armë përsëritëse M-56, kalibër .22, një pistoletë CZ-99, kalibër 9 mm, si dhe një pistoletë CZ Mod-70, kalibër 7.65 mm, të prodhimit jugosllav “Crvena Zastava”.

Po ashtu janë gjetur 99 fishekë të kalibrit 7.62 mm, 30 fishekë të kalibrit 9 mm dhe 10 fishekë të kalibrit 7.65 mm.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitë patrulluese, hetuesit dhe forenzika, të cilët kanë kryer veprimet e nevojshme hetimore.

Pronari i objektit, Srdjan Vukosavljevic, është shoqëruar për intervistim në prani të avokatit mbrojtës.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, ai ka pranuar se shtalla ku janë gjetur armët është pronë e tij, por ka mohuar se armët dhe municioni i përkasin atij.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit është kontrolluar edhe shtëpia e të dyshuarit.

Para bastisjes, ai ka deklaruar se posedonte një pushkë ajrore, por ajo nuk është gjetur në shtëpi. I dyshuari ka thënë se armën ia kishte dhënë njërit prej fqinjëve, por se nuk i kujtohej se kujt.

Pas përfundimit të veprimeve, rasti është iniciuar për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa i dyshuari është ndaluar për 48 orë.

Rasti mbetet nën hetime.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT