Një konflikt mes disa banorëve dhe të rinjve që po luanin futboll ka eskaluar në rrahje dhe përdorim të sprejit irritues në Ferizaj, duke përfunduar me katër persona të arrestuar.
Ngjarja ka ndodhur më 12 mars 2026 rreth orës 17:20, në rrugën “Besnik Osmani” në Ferizaj.
Sipas informacioneve nga burime të afërta me hetimin, të dyshuarit Butrint Emërllahu, rreth 22-vjeçar, Jon Emërllahu, rreth 26-vjeçar, Ekrem Ajeti, rreth 62-vjeçar dhe Melos Ajeti, rreth 25-vjeçar kanë reaguar pasi kishin vërejtur disa të rinj duke luajtur me top pranë murit të një banese.
Pas kërkesës që loja të mos vazhdonte në atë hapësirë, mes palëve ka nisur një fjalosje që më pas ka eskaluar në konfrontim fizik.
Gjatë përplasjes, i dyshuari Butrint Emërllahu dyshohet se ka përdorur një sprej OC (Jenix), i cili është sekuestruar nga policia si provë materiale dhe i është bashkëngjitur lëndës.
Në vendin e ngjarjes kanë ndërhyrë njësitë policore, të cilat kanë vënë situatën nën kontroll dhe kanë arrestuar të dyshuarit, të cilët më pas janë shoqëruar në stacion policor.
Gjatë incidentit, tretman mjekësor kanë pranuar Ekrem Ajeti dhe Butrint Emërllahu, ndërsa janë intervistuar edhe disa dëshmitarë të rastit.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar për veprat penale “Lëndim i lehtë trupor”, “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Sulm”.
Të dyshuarit janë dërguar në ndalim për 48 orë, ndërsa hetimet për rastin janë në zhvillim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.


