Një 27-vjeçar ka përfunduar në ndalim policor pasi është kapur me armë zjarri gjatë një kontrolli të Policisë në kryeqytet, merr vesh Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i dyshuari është Auron Duplaku, 27 vjeçar, i cili është ndaluar më 5 shtator, rreth orës 15:30, te Rrethi i Fontanës në Prishtinë.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, Njësia për Reagim të Shpejtë e Policisë ishte duke operuar në një pikë kontrolli në këtë lokacion, kur ka ndaluar veturën Mercedes që drejtohej nga Duplaku.
Gjatë kontrollit të automjetit, zyrtarët policorë kanë gjetur një armë zjarri të tipit revole, model “Blow”, pa numër serik, së bashku me një karikator dhe pesë fishekë.
Arma dhe municioni janë sekuestruar, ndërsa 27-vjeçari është shoqëruar në stacion policor.
Duplaku është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, ndërsa lidhur me rastin është konsultuar edhe Prokurori i Shtetit.
Me udhëzimin e prokurorit, ndaj tij është iniciuar rast për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Pas përfundimit të procedurave policore, të dyshuarit i është caktuar ndalimi prej 48 orësh dhe ai është dërguar në Qendrën e Ndalimit.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


