Një aksion policor gjatë orëve të para të mëngjesit në Prishtinë ka përfunduar me arrestimin e një të riu, i cili tentoi t’i shmangej ndalimit dhe më pas u kap me substanca narkotike.
Ngjarja ka ndodhur më 20 prill 2026 rreth orës 01:50, në zonën e Rrugës “A”.
Siç mëson ekskluzivisht Sinjali, njësitet policore kanë hasur në një veturë BMW me targa 01, e cila drejtohej nga Joni Ademaj rreth 26 vjeç. Në momentin që policia ka tentuar ta ndalojë, i dyshuari ka tentuar të largohet duke u futur në rrugë dytësore, por është bllokuar dhe ndaluar pas një ndjekjeje të shkurtër.
Sipas burimeve, gjatë ndalimit ai ka bërë edhe rezistencë ndaj arrestimit, por është neutralizuar nga policia.
Gjatë kontrollit trupor, zyrtarët kanë gjetur të fshehur në pjesët intime të trupit një kuti me substancë të dyshuar narkotike të llojit hashish, me peshë rreth 35 gram.
I dyshuari është shoqëruar në stacion policor dhe është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës. Me vendim të prokurorit kujdestar, ai është dërguar në ndalim për 48 orë.
Rasti është iniciuar si “Posedim i paautorizuar i narkotikëve”, ndërsa hetimet janë në zhvillim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


