Një zyrtar policor është sulmuar dhe kërcënuar mbrëmjen e së martës në Skenderaj, pasi kishte ndërhyrë për të qetësuar një konflikt mes dy personave, mëson Sinjali.
Rasti ka ndodhur më 18 gusht, rreth orës 21:45, në rrugën “28 Nëntori”.
Sipas informacioneve që ka mësuar Sinjali, zyrtari policor në ato momente ishte duke pritur një koleg për të udhëtuar drejt Prishtinës, ku do të shkonte në punë, kur ka dëgjuar dy persona duke u fjalosur.
Duke parë se tensionet mes tyre po përshkallëzoheshin, polici është afruar dhe ka tentuar të ndërhyjë për ta qetësuar situatën.
Por ndërhyrja ka marrë tjetër drejtim.
Njëri prej personave të përfshirë në konflikt dyshohet se ka reaguar ndaj zyrtarit policor, duke e kapur për dore dhe tërhequr, ndërsa njëkohësisht i ka drejtuar fjalë kërcënuese dhe banale.
Pas incidentit, polici ka kërkuar asistencë dhe në vendin e ngjarjes ka mbërritur një njësi policore, e cila ka hasur të dyshuarin dhe një dëshmitar. Të dy janë shoqëruar në stacion për intervistim.
Sinjali mëson se personi i dyshuar në këtë rast është Bajram Bajrami 34-vjeçar.
Pas intervistimit, hetuesit kanë kontaktuar Prokurorin kujdestar, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.
34-vjeçari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti do të vazhdojë të trajtohet nga organet kompetente.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


