Raphinha ka mbajtur fjalimin e tij të parë si kapiten i Barcelonës, duke iu drejtuar tifozëve dhe skuadrës para finales së Trofeut Joan Gamper.
Braziliani, i cili së fundmi ka marrë shiritin e kapitenit, përcolli disa mesazhe të rëndësishme për bashkëlojtarët, stafin teknik dhe tifozët katalanas. Fjalimi i tij u prit me duartrokitje të gjata nga të pranishmit në stadium.
Në fillim, Raphinha shprehu mbështetjen për Roony, duke theksuar se skuadra do të qëndrojë pranë tij gjatë periudhës së vështirë që po kalon.
“Dua që ai ta dijë se jemi pranë tij për gjithçka që ka nevojë. Ai është njëri prej nesh”, u shpreh kapiteni i Barcelonës.
Më pas, braziliani përgëzoi lojtarët e klubit që kanë arritur sukses në Kupën e Botës, duke u thënë se kanë shkruar emrin e tyre në historinë e futbollit.
Ai pati një mesazh edhe për anëtarët e rinj të stafit teknik, duke vlerësuar përgjegjësinë që sjell përfaqësimi i Barcelonës.
Sipas Raphinhas, të veshësh fanellën e klubit katalanas është një barrë e madhe, por njëkohësisht një privilegj i jashtëzakonshëm.
Në fund, kapiteni premtoi se skuadra do të japë maksimumin gjatë sezonit të ri për t’u sjellë tifozëve trofe.
“Ne, lojtarët dhe stafi teknik, do të bëjmë gjithçka për t’ju sjellë gëzim. Vetëm së bashku mund të luftojmë për çdo trofe”, deklaroi ai.
Fjalimin e tij Raphinha e mbylli me thirrjen tradicionale: “Visca el Barça dhe Visca Catalunya, gjithmonë”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


