Një grabitje e armatosur që tronditi dje fshatin Slivovë të Ferizajt ka marrë zhvillim të shpejtë, pasi policia arriti të identifikojë dhe arrestojë tre persona të dyshuar brenda një kohe të shkurtër.
Ngjarja ka ndodhur në mes të ditës, kur një person i maskuar dhe i armatosur me kallashnikov hyri në marketin “Diti-R” dhe nën kërcënimin e armës mori paratë nga arka.
Siç mëson ekskluzivisht Sinjali, në lidhje me këtë rast janë arrestuar:
Bunjamin Terziu rreth 28 vjeç, Rinor Hysaj rreth 38 vjeç dhe Vullnet Sadriu rreth 28 vjeç.
Sipas burimeve, i dyshuari kryesor pas kryerjes së grabitjes është larguar në këmbë, por është kapur nga policia brenda pak minutash, ndërsa gjatë operacionit janë arrestuar edhe dy persona të tjerë që dyshohet se kanë qenë të përfshirë në këtë rast.
Gjatë kontrollit, policia ka sekuestruar edhe armën që dyshohet të jetë përdorur në grabitje – një AK-47.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë hetimore dhe forenzika, ndërsa rasti po trajtohet në koordinim me prokurorin për krime të rënda.
Hetimet janë në zhvillim dhe priten detaje të tjera.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


