Një incident serioz në orët e hershme të mëngjesit ka trazuar Sheshin e Lirisë në Fushë Kosovë, ku një debat mes disa personave ka eskaluar me intervenimin e Policisë, duke përfunduar me tre persona të arrestuar dhe dy zyrtarë policorë të lënduar, raporton ekskluzivisht Sinjali.
Sinjali mëson se tre personat e arrestuar janë Endrit Krasniqi rreth 25 vjeçar, Rrustem Avdiu rreth 45 vjeçar dhe Arber Krasniqi rreth 20 vjeçar.
Ngjarja ka ndodhur sot, rreth orës 04:50, në Sheshin e Lirisë, ku një patrullë policore ka hasur pesë persona duke debatuar me zë të lartë mes vete.
Policia ka intervenuar, por situata dyshohet se ka eskaluar gjatë arrestimit.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, Endrit Krasniqi dyshohet se ka refuzuar arrestimin dhe ka bërë rezistencë fizike ndaj zyrtarëve policorë, duke kundërshtuar veprimet e tyre.
Ai dyshohet se gjatë intervenimit ka kanosur vazhdimisht edhe një zyrtar policor.
Situata është tensionuar edhe më tej kur në veprim dyshohet se janë përfshirë Rrustem Avdiu dhe Arber Krasniqi, të cilët sipas të dhënave të rastit kanë penguar zyrtarët policorë gjatë arrestimit të Krasniqit.
Intervenimi ka përfunduar me dy policë të lënduar.
Dy zyrtarët policorë kanë pësuar lëndime të lehta trupore dhe fillimisht kanë marrë trajtim mjekësor në autoambulancën e QMF-së në Bresje. Për shkak të lëndimeve, më pas janë dërguar në QKUK në Prishtinë për trajtim të mëtejshëm.
Tre të dyshuarit janë arrestuar dhe shoqëruar në Stacionin Policor në Fushë Kosovë, ku u është ofruar ndihma mjekësore dhe më pas janë intervistuar në praninë e avokatëve mbrojtës.
Policia u ka bërë edhe alkool-testin.
Sipas informacioneve të Sinjalit, Endrit Krasniqi ka rezultuar me 0.25%, ndërsa Rrustem Avdiu me 0.56%.
Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit nga Departamenti i Përgjithshëm, i cili ka dhënë udhëzimet për procedurat e mëtejme.
Ndaj Endrit Krasniqit është iniciuar rast për veprën penale “Kanosje”, ndërsa pas përfundimit të procedurave ai është liruar në procedurë të rregullt.
Por ndryshe ka përfunduar për dy personat e tjerë.
Ndaj Rrustem Avdiut dhe Arber Krasniqit është iniciuar rast për “Pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” dhe, me vendim të Prokurorit, të dy janë ndaluar për 48 orë dhe janë dërguar në Qendrën e Mbajtjes.
Rasti tashmë po trajtohet nga organet kompetente, ndërsa ajo që nisi si një debat mes disa personave pak para orës 05:00 në qendër të Fushë Kosovës, përfundoi me tre arrestime, dy policë të lënduar dhe dy të dyshuar në mbajtje.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


