Një rast me të shtëna me armë zjarri ka vënë në lëvizje Policinë paraditen e sotme në Livoq të Epërm të Gjilanit, ku një 65-vjeçar dyshohet se ka shkrepur disa herë me pistoletë në oborrin e tij.
Sinjali mëson se personi i përfshirë në rast është Bajram Salihu.
Rasti ka ndodhur sot, rreth orës 10:40, kur Policia ka pranuar informatë për të shtëna me armë zjarri dhe menjëherë ka dërguar një patrullë në lokacion.
Me të mbërritur atje, zyrtarët policorë kanë kontaktuar Salihun, i cili dyshohet se kishte shkrepur gjashtë herë me pistoletë.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, të shtënat dyshohet se janë bërë në tokë, brenda oborrit të tij.
Në vendngjarje ka dalë edhe Forenzika, ku janë gjetur gjashtë gëzhoja të kalibrit 9×19 mm, ndërsa më pas janë sekuestruar pesë armë.
Bëhet fjalë për dy pistoleta 9×19 mm, një pushkë gjuetie Sarsilmaz SA-X 700, një karabinë Mossberg Patriot dhe një Mossberg 702.
Por bashkë me armët, Policia ka sekuestruar edhe një sasi të madhe municioni.
Gjithsej janë sekuestruar 293 fishekë të kalibrave të ndryshëm – 100 fishekë 9×19 mm, 156 fishekë .22 LR, 26 fishekë .270 WIN dhe 11 fishekë 12GA, si dhe pesë karikatorë.
Sipas të dhënave të rastit, armët ishin me leje, megjithatë rasti nuk ka përfunduar me sekuestrimin e tyre.
Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, janë iniciuar rastet “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve” dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
65-vjeçari është liruar pas procedurave policore, ndërsa ndaj tij rasti vazhdon në procedurë të rregullt.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


