Një incident serioz mes dy kolegëve është regjistruar mëngjesin e 29 shtatorit pranë zyrave të KEDS-it në rrugën “Isa Boletini” në Prishtinë.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rreth orës 09:50 është raportuar se një person ishte kanosur me thikë, ndërsa njësitë policore kanë dalë menjëherë në lokacion.
Viktima, E.M, ka deklaruar se derisa po hynte në zyrat e KEDS-it, ishte kanosur me fjalë dhe me thikë nga kolegu i tij, Rijad Ismaili.
Në lokacion janë identifikuar kamera të sigurisë, ndërsa pamjet e tyre kanë rezultuar të rëndësishme për sqarimin e rastit.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, në pamje shihet i dyshuari me një thikë në dorë duke lëvizur në drejtim të viktimës.
Viktima është shoqëruar në stacion policor dhe ka pranuar edhe ndihmë mjekësore, ndërsa posedon dokumentacionin përkatës mjekësor.
I dyshuari është kontaktuar nga Policia dhe është udhëzuar të paraqitet në stacion.
Gjatë intervistimit, në prani të avokatit mbrojtës, ai ka pranuar se e kishte pasur thikën, por ka deklaruar se më pas e kishte hedhur diku në Fushë Kosovë.
Pas kësaj, hetuesit së bashku me krim-teknikën kanë arritur ta gjejnë dhe sekuestronin thikën.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Sulm”, ndërsa i dyshuari është ndaluar për 48 orë.
Hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave dhe motivit të incidentit po vazhdojnë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


