Një tjetër rast i rëndë i vjedhjes është raportuar në Ferizaj, ku pronari i një banese mbeti i shokuar pasi hyri me forcë në banesën e tij dhe e gjeti të demoluar, ndërsa stoli ari me mijëra euro kishin desapareuar, mëson Sinjali nga burime të afërta me hetimin.
Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Cen Dugolli” në Ferizaj.
Sipas informatave, Xh.A. rreth 46 vjeç kishte shkuar në banesën e tij më 9 maj rreth orës 23:00 dhe kishte vërejtur se dera nuk hapej as me çelës.
Burimet bëjnë të ditur se ai kishte kërkuar ndihmën e mirëmbajtësit të objektit, por as ata nuk kishin arritur ta hapnin derën, duke dyshuar fillimisht për një defekt teknik.
Por të nesërmen në mëngjes, rreth orës 10:00, pasi kishte arritur ta hapte derën me forcë, ai kishte zbuluar se banesa ishte demoluar.
Sinjali mëson se persona ende të panjohur kishin hyrë në banesë duke hapur me forcë dritaren e dhomës së gjumit dhe kishin marrë stoli ari në vlerë rreth 6 mijë euro.
Sipas ankuesit, dëmet materiale në banesë arrijnë vlerën rreth 700 euro.
Në vendngjarje kanë dalë hetuesit e stacionit policor dhe forenzika, të cilët kanë kryer ekzaminimin dhe dokumentimin e rastit.
Me urdhër të Prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar si “Vjedhje e rëndë”, ndërsa hetimet janë duke vazhduar nga njësitë rajonale.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


