Gjykata Themelore në Prizren ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj pesë personave të arrestuar në aksionin e zhvilluar në Agjencinë Kadastrale të Kosovës dhe disa lokacione të tjera.
Siç mëson Sinjali, seanca është mbajtur në Gjykatën Themelore në Prizren, ku ndaj të dyshuarve është vendosur masa e “paraqitjes në stacion policor”, duke i liruar nga ndalimi, ndërsa burime nga gjykata bëjnë të ditur se rasti është trajtuar aty pasi njëri nga të arrestuarit, Agim Bytyçi, ka qenë ish-administrator në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Të arrestuarit me inicialet A.B., N.K., A.Q., B.SH. dhe M.B. ishin ndaluar për 48 orë gjatë aksionit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, i cili ishte zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.
Sipas hetimeve, ata dyshohen për veprat penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, “Falsifikim dokumenti” dhe “Legalizim i përmbajtjes së rreme”, lidhur me dyshime për manipulim të dokumenteve pronësore dhe regjistrim të kundërligjshëm të pronave.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


