Tuesday, June 30, 2026
spot_img
HomeLajmeEkskluzive | Arrestohet edhe i dyshuari i dytë për djegien e veturës...

Ekskluzive | Arrestohet edhe i dyshuari i dytë për djegien e veturës Audi te Rruga C në Prishtinë

Policia e Kosovës ka arrestuar edhe personin e dytë të dyshuar për rastin e zjarrvënies që ndodhi në fillim të këtij muaji në afërsi të Rrugës C në Prishtinë, raporton Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për Omer Ferizin, rreth 21-vjeçar, i cili dyshohet se në bashkëkryerje me Andi Shemsedinin, rreth 26-vjeçar i kanë vënë flakën një veture Audi, duke dëmtuar edhe një automjet tjetër të markës Citroen.

Ngjarja kishte ndodhur në orët e para të mëngjesit të 6 qershorit, në hyrje të parkingut të një garazhi pranë objektit Alko Group, afër Rrugës C në Prishtinë, ku si pasojë e zjarrit u shkaktuan dëme të konsiderueshme materiale.

Hetuesit e Njësisë për Hetimin e Pronës në Prishtinë, pas analizimit të video-incizimeve, grumbullimit të provave materiale dhe veprimeve intensive hetimore, fillimisht identifikuan dhe shpallën në kërkim Andi Shemsedinin, i cili u arrestua më 27 qershor në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, teksa tentonte të udhëtonte.

Ndërkohë, hetimet kanë vazhduar dhe kanë çuar edhe në identifikimin e të dyshuarit të dytë. Më 30 qershor, Policia ka siguruar prezencën e Omer Ferizit, i cili është shoqëruar në zyrat e Njësisë për Hetimin e Pronës, ku është intervistuar në praninë e avokatit mbrojtës.

Me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, edhe ai është dërguar në ndalim për 48 orë.

Hetimet lidhur me këtë rast janë ende në zhvillim, pasi autoritetet po punojnë për të zbuluar nëse në zjarrvënie kanë qenë të përfshirë edhe persona të tjerë.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT