Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se edhe qytetarët e Kosovës që në ditën e zgjedhjeve të 7 qershorit ndodhen përkohësisht jashtë vendit, do të kenë mundësi të marrin pjesë në procesin e votimit.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se këta qytetarë duhet të regjistrohen brenda afatit për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës, i cili ka nisur më 6 maj dhe përfundon më 17 maj 2026.
Sipas tij, procedura e regjistrimit është e njëjtë me atë të shtetasve që jetojnë jashtë vendit, me ndryshimin se aplikuesit duhet të bashkëngjisin dëshmi që vërteton qëndrimin e tyre të përkohshëm, si adresë banimi, rezervim hoteli apo dokument tjetër përkatës.
Elezi theksoi se KQZ po synon të lehtësojë pjesëmarrjen në zgjedhje për të gjithë qytetarët, pavarësisht nëse jetojnë jashtë apo ndodhen përkohësisht jashtë Kosovës në ditën e votimit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


