Dy alarme për bombë që kanë ndodhur së fundmi në Prishtinë tek Stacioni i Autobusëve, kanë aktivizuar policinë e cila ka zbuluar autorin e kërcënimit.
Organet e rendit bëjnë me dije se autori vie nga Serbia.
Sipas njoftimit, sot rreth orës 07:48 Qendra Operative e Drejtorisë së Përgjithshme ka pranuar një telefonatë në numrin zyrtar nga një person që ka folur në gjuhën serbe, duke pretenduar në mënyrë të rreme se në stacion ishte vendosur një bombë.
Pas marrjes së informatës, njësitë patrulluese të Stacionit Policor Jugu kanë reaguar menjëherë, duke evakuuar qytetarët, siguruar perimetrin dhe ndërmarrë masat e nevojshme për garantimin e sigurisë.
Në operacion janë përfshirë edhe Njësia për Trajtimin e Mjeteve Shpërthyese, Njësia K9, hetuesit policorë, si dhe njësitë e zjarrfikësve, autoambulanca dhe Drejtoria e Emergjencave e Komunës së Prishtinës. Pas kontrollit të detajuar të objektit dhe zonës përreth, autoritetet kanë konstatuar se nuk kishte asnjë mjet të dyshuar apo shpërthyes. Më pas, Stacioni i Autobusëve është rihapur dhe i është rikthyer funksionimit normal. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kompetent, i cili ka autorizuar inicimin e rastit për veprën penale “Lajmërimi apo kallëzimi i rremë”, ndërsa hetimet janë në vazhdim. Policia e Kosovës bëri të ditur se ky rast lidhet drejtpërdrejt me kërcënimin e rremë të 22 qershorit 2026, i cili kishte në shënjestër po të njëjtin objekt. Sipas hetimeve të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike, të dy telefonatat janë realizuar nga i njëjti numër telefonik në Serbi. Autoritetet njoftojnë se gjatë analizave teknike janë siguruar edhe prova të tjera elektronike që ndërlidhin dy rastet dhe tashmë janë pjesë e procedurës hetimore.
Policia thekson se ka kapacitete të avancuara profesionale dhe teknike në fushën e hetimeve kibernetike dhe gjurmimit të komunikimeve kriminale, duke theksuar se autorët që tentojnë të fshihen pas telefonatave anonime, aplikacioneve elektronike, profileve të rreme apo veprimit nga shtete të tjera identifikohen dhe do të përballen me drejtësinë.
Në fund, Policia u bëri thirrje qytetarëve të mos bien pre e dezinformatave apo përpjekjeve për krijimin e panikut, duke siguruar se çdo informacion që lidhet me sigurinë trajtohet me seriozitet maksimal dhe sipas standardeve më të larta profesionale.


