Sunday, August 30, 2026
spot_img
HomeLajmeDy javë pasi u kthye nga Amerika, gruaja denoncon bashkëshortin në Klinë...

Dy javë pasi u kthye nga Amerika, gruaja denoncon bashkëshortin në Klinë – pretendon presion e dhunë psikologjike të vazhdueshme

Një rast i dhunës në familje është iniciuar në Klinë, pasi një grua ka denoncuar bashkëshortin e saj për presion dhe dhunë psikologjike të vazhdueshme, raporton Sinjali.

Rasti lidhet me një mosmarrëveshje që dyshohet se ka ndodhur më 29 gusht, rreth orës 06:00 të mëngjesit, ndërsa Policia është vënë në dijeni nga e dëmtuara.

Pas pranimit të informacionit, të dy bashkëshortët janë kontaktuar dhe ftuar që të paraqiten në Stacionin Policor në Klinë, ku janë dëgjuar ndaras lidhur me rrethanat e rastit.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se gruaja, 50-vjeçare, kishte ardhur në Kosovë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës rreth dy javë më parë, ku edhe punon.

Në deklaratën e dhënë para hetuesve, ajo ka thënë se mëngjesin e asaj dite kishte pasur një mosmarrëveshje verbale me bashkëshortin, por ka sqaruar se mes tyre nuk kishte pasur kontakt fizik.

Megjithatë, denoncimi i saj nuk është kufizuar vetëm te debati i asaj dite.

50-vjeçarja ka deklaruar se bashkëshorti dyshohet se ushtron ndaj saj presion dhe dhunë psikologjike në vazhdimësi, duke pretenduar se ai shfaq xhelozi dhe e ofendon.

Pas incidentit, gruaja është larguar së bashku me fëmijët dhe ka shkuar në Prishtinë.

Për rastin është njoftuar Prokurori kujdestar, i cili, pavarësisht se nuk është raportuar dhunë fizike, ka udhëzuar që të iniciohet rast penal për “Dhunë në familje”.

Bashkëshorti është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt.

Rasti ndaj tij do t’i procedohet Prokurorisë përmes kallëzimit penal.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT