Monika Kryemadhi ka folur sërish për ndarjen nga Ilir Meta, duke zbuluar arsyet që, sipas saj, çuan në krizën familjare dhe përfundimisht në divorc, duke e lidhur situatën edhe me një dosje për të cilën ata janë nën hetim.
Ajo deklaroi se gjithçka nisi pasi Meta u largua nga banesa, duke pretenduar se ajo kishte kërcënuar vjehrrin dhe bashkëshorten e Tedi Blushit.
“Ai ka ikur nga shtëpia se unë i kam kërcënuar vjehrrin dhe gruan e Tedi Blushit dhe pastaj vazhdoj më tutje. Është thirrur vjehrri i Tedi Blushit në SPAK në mars, pastaj në maj është bërë nëndrejtor i spitalit të burgut dhe mbas atakimit ka filluar agresiviteti, “ti më përgjon, ti më ke shitur, ti je bërë bashkëpunëtor i SPAK” dhe për këtë arsye iku, kaq. E gjitha kjo është”, tha ajo në “Kjo Javë”, në News24.
Kryemadhi theksoi se kjo situatë tronditi të gjithë marrëdhënien e tyre, ndërsa shtoi se për të tashmë gjithçka ka përfunduar. Ajo nënvizoi se ana njerëzore e divorcit nuk ka lidhje me vendimet politike, qoftë të sajat apo të Metës.
“Kjo tronditi të gjithë marrëdhënien, por tani për mua s’ka më. Unë e kam thënë dhe vazhdoj ta them, ana njerëzore e divorcit tim nuk ka lidhje me vendimet politike qoftë të Ilir Metës personale, apo të mijat. Mënyra se si është ndërtuar dhe unë mendoj që gjithmonë SPAK ka ndërhyrë përmes personave të caktuar, të infiltruar për të krijuar një mosbesim, apo paragjykim të Ilir Metës jo vetëm ndaj meje, por edhe ndaj stafit të tij të vjetër më parë”, u shpreh ajo.
Ndër të tjera, ajo tha se zhgënjimi më i madh lidhet me marrëdhënien 30-vjeçare me Metën, duke akuzuar se ai ka cenuar integritetin e saj për shkak të ndikimit të një personi që, sipas saj, e ka njohur gjatë kohës në presidencë.
“Ajo që mua më ka vrarë, është se kur një njeri që ka jetuar 30 vite me mua dhe unë kam bërë çdo gjë, dhe kam dhënë maksimumin, por për atë s’ka qenë, por për mua ka qenë trefishi. Unë jam shumë dakord që mund të më shkelë me këmbë Ilir Meta përballë nënës, babait, motrës së vet, familjarëve të vet, por s’mund të më shkelësh me këmbë dhe të cenosh integritetin tim për një njeri që e ke njohur në presidencë, rrogëtar“, tha ajo.
Ajo shtoi se, sipas saj, ndërhyrje të ndryshme kanë ndikuar në krijimin e mosbesimit mes tyre, ndërsa theksoi se arsyeja kryesore e ndarjes ka qenë dosja për të cilën ata janë nën hetim.
“Ne do ishim bashkë. Dosja ka qenë arsyeja e divorcit, kjo është një nga ato deklarata që ai e ka bërë shumë të qartë dhe e ka bërë në një televizion ku faktikisht ato ambiente janë pronë e familjes sime”, deklaroi Kryemadhi.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


