Thursday, April 23, 2026
spot_img
HomeLajmeDita D e “Banjskës”: A do të dënohen përjetshëm tre të akuzuarit?

Dita D e “Banjskës”: A do të dënohen përjetshëm tre të akuzuarit?

Nesër më 24 prill, saktësisht pas 2 vjet e 7 muajsh nga sulmi terrorist në Banjskë, do të shpallet vendimi për tre të akuzuarit Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq.

Javën e kaluar, prokurori i rastit Naim Abazi, kishte kërkuar burgim të përjetshëm ndaj tre të akuzuarve.

Tolliq, Spasojeviq dhe Maksimoviq, i mohuan akuzat me të cilat ata ngarkohen.

Derisa, përveç tyre, Prokuroria Speciale e Kosovës më 11 shtator ngriti aktakuzë në mungesë edhe ndaj 42 personave të tjerë, në mesin e tyre edhe kryeterroristi Millan Radoiçiq, i cili nuk është arritur të kapet nga organet e drejtësisë.

Prokuroria më parë kishte kërkuar gjykim në mungesë edhe ndaj të akuzuarve të tjerë, por që u hodh poshtë si e pabazë nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Kush janë të akuzuarit në rastin Banjska?

Millan Radoiçiq, Bllagoje Spasojeviq, Vlladimir Toliq, Dushan Maksimoviq, Vlladimir Radivojeviq, Ugljesa Jarediq, Millorad Jevtiq, Vllastimir Andriq, Alleksandar Millosavleviq, Llazar Smigiq, Velko Gjorgjeviq, Vlladimir Vuçetiq, Stefan Jovanoviq, Millovan Kërstoviq, Urosh Milliq, Trajko Vasiq, Danillo Vasiq, Vukashin Jarediq, Sasha Periq, Nemanja Stankoviq, Momçillo Vuçkoviq, Stefan Radojkoviq, Marjan Radojeviq, Marko Arsiq, Zarko Cvetkoviq, Krsto Damjanoviq, Stefan Millosavleviq, Marko Saviq, Alleksandar Jevremoviq, Radosh Gvozdiq, Ivan Milliq, Gojko Zubaq, Nemanja Radivojeviq, Radak Adziq, Millos Millenkoviq, Gjorgje Balloviq, Danijell Dukiq, Danillo Virijeviq, Alleksandar Tanaskoviq, Millos Kragoviq, Milan Nedelkoviq, Nikolla Illiq dhe Vlladan Illiq.

Çfarë akuzash rëndojnë mbi ta?

Më 11 shtator 2024, në prag të njëvjetorit të sulmit, Prokuroria Speciale zyrtarisht ngriti aktakuzë ndaj 45 personave, shumica prej tyre në mungesë.

Ata ngarkohen se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, tentuan ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës e t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë.

Ndërkaq, kreu i vetëshpallur i këtij grupit terrorist të strukturuar, Millan Radoiçiq ngarkohet se nga viti 2017 e deri më 24 shtator 2023 ka siguruar të ardhura në mënyrë të tërthortë, e këto para i ka konvertuar në pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, ku një pjesë të pasurive të paluajtshme e ka transferuar dhe tek personat e tretë, me qëllim të fshehjes ose maskimit të burimit të pasurisë.

45 të akuzuarit ngarkohen për veprat penale “Kryerja e veprës terroriste”, “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, “Lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit” si dhe “Shpëlarja e parave”.

Millan Radoiçiq i uniformuar qëndron në manastirin e Banjskës, pas sulmit terrorist në Banjskë, Zveçan, 24 shtator, 2023.

Nga sulmi terrorist i shtatorit të vitit 2023, mbeti i vrarë rreshteri policor 50-vjeçar nga Vushtrria, Afrim Bunjaku, ndërkaq u plagos zyrtari policor Alban Rashiti e u lënduan Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu e Sedat Dushi. Pastaj, të vrarë kishin mbetur edhe tre sulmues, kurse të tjerët ishin larguar pasi ishin strehuar për disa orë në Manastirin e Bajnskës. Millan Radoiçiq e kishte marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin terrorist.

Serbia ende nuk ka dorëzuar kriminelët e Banjskës, në mesin e të cilëve edhe kryeterroristin Radoiçiq, përkundër kërkesave të vazhdueshme të autoriteteve vendore dhe atyre ndërkombëtare. /Klankosova.tv

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT