Një rast i dhunës në familje është trajtuar nga Policia në Gjakovë, ku një burrë dyshohet se për një periudhë kohore ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj bashkëshortes së tij.
Rasti lidhet me një incident të ndodhur më 3 janar 2026 rreth orës 23:00, në rrugën “Yjet e Erenikut”, ku sipas raportimeve i dyshuari A. D rreth 45 vjeç dyshohet se në vazhdimësi kishte ushtruar presion dhe dhunë ndaj bashkëshortes së tij B. D rreth 44 vjeçare.
Për shkak të mosmarrëveshjeve, çifti kishte nisur të jetojë ndaras, ndërsa në një rast i dyshuari kishte shkuar në banesë për të marrë vajzën e tyre. Sipas raportimit, vajza kishte kundërshtuar të shkojë me të, por i dyshuari e kishte marrë pa vullnetin e saj.
Viktima ka refuzuar strehimin, ndërsa gjatë procedimit të rastit ka qenë e pranishme edhe punonjësja sociale.
Pas ndërhyrjes së policisë, A. D është arrestuar, ndërsa me vendim të Prokurorit kujdestar është dërguar në ndalim për 48 orë.
Në një zhvillim të mëvonshëm, më 15 mars 2026, pas një informate shtesë nga viktima se në banesën ku kishte jetuar më herët i dyshuari posedonte një armë, policia ka ndërmarrë veprime hetimore.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, nga njësia e hetimeve është sekuestruar përkohësisht një armë e llojit “Sig Sauer”, së bashku me dy karikatorë, deri në një vendim tjetër të organeve kompetente.
Rasti mbetet nën hetime nga autoritetet përkatëse.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


