Sulmet pakistaneze ndaj dy provincave afgane gjatë natës lanë të vrarë të paktën 10 civilë, thanë të enjten Afganistani dhe Kombet e Bashkuara, kur konflikti ndërkufitar mes dy shteteve nuk po shfaq shenja të qetësimit.
Ministria e Informimit e Pakistanit tha se sulmet e forcave pakistaneze ishin kundër vendeve të fshehta të militantëve në dy zona dhe se raportet fillestare sugjerojnë që 22 militantë ishin vrarë. Kjo ministri nuk i komentoi menjëherë raportimet për viktima civile. Pretendimi i saj për militant të vrarë nuk mund të vërtetohej menjëherë në mënyrë të pavarur, raporton “Associated Press”.
Misioni i Kombeve të Bashkuara në Afganistan konfirmoi se të paktën 10 civilë, shumica prej tyre fëmijë, u vranë nga sulmet ndaj provincës jugore, Helmand, dhe provincës lindore, Kunar. Ky mision tha se nëntë persona u lënduan nga sulmet ajrore.
Sulmet e reja vijnë në kohën e përleshjeve të përsëritura ndërkufitare mes dy vendeve, përderisa Pakistani disa herë ka kryer sulme ajrore brenda Afganistanit që nga përshkallëzimi dramatik i tensioneve mes dy shteteve më herët këtë vit. Dy vendet fqinje kanë mosmarrëveshje të vjetra rreth aktivitetit të militantëve përgjatë kufirit mes tyre.
“Civilët vazhdojnë të preken nga armiqësitë ndërkufitare. UNAMA e përsërit thirrjen e saj për depërshkallëzim, dialog, respektim të së drejtës ndërkombëtare dhe parandalim të lëndimit të mëtejmë të civilëve” – tha në një deklaratë misioni i OKB-së.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


