Wednesday, September 16, 2026
spot_img
HomeLajmeDënimi i krerëve të UÇK-së, Konjufca: Ka shkaktuar zhgënjim të thellë në...

Dënimi i krerëve të UÇK-së, Konjufca: Ka shkaktuar zhgënjim të thellë në mbarë Kosovën

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka reaguar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Konjufca ka thënë se vendimi ka shkaktuar zhgënjim të thellë në Kosovë, duke theksuar se këtë ndjenjë e ndan edhe personalisht.

“Rezultati i aktgjykimit të sotëm të Dhomave të Specializuara të Kosovës në rastin kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit ka shkaktuar, në mënyrë të kuptueshme, zhgënjim të thellë në mbarë Kosovën, një ndjenjë të cilën e ndaj edhe unë personalisht”, ka shkruar Konjufca.

Ai ka shprehur bindjen se Dhoma e Apelit do ta shqyrtojë me kujdes aktgjykimin, duke adresuar, sipas tij, mangësitë juridike dhe faktike që mund të jenë evidentuar në vendim.

“Besoj fuqishëm se Dhoma e Apelit do t’i nënshtrojë aktgjykimit një shqyrtim të kujdesshëm dhe rigoroz gjyqësor dhe do të adresojë, në përputhje me ligjin në fuqi dhe praktikën e vendosur, mangësitë juridike dhe faktike që rrjedhin nga ky aktgjykim”.

Konjufca ka theksuar se, pavarësisht aktgjykimit, përkushtimi i Kosovës ndaj sundimit të ligjit, demokracisë, paqes dhe integrimit evropian mbetet i pandryshuar.

Ai ka folur edhe për viktimat e luftës në Kosovë, duke thënë se në rrethanat aktuale është e vështirë të perceptohet drejtësia për mijëra persona të vrarë, të dhunuar dhe të torturuar nga forcat serbe.

“Sot, në rrethanat aktuale, është e vështirë të perceptohet një ndjenjë drejtësie për dhjetëra mijëra gra, burra dhe fëmijë, mbi 95 për qind e të cilëve ishin shqiptarë etnikë, të vrarë, të dhunuar dhe të torturuar nga forcat ushtarake, paramilitare dhe policore serbe. Për ta, drejtësia nuk erdhi kurrë”.

Në fund, Konjufca ka bërë thirrje për mbrojtjen e së vërtetës historike, ndërsa ka vlerësuar qëndrueshmërinë e qytetarëve të Kosovës pas aktgjykimit.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT