Vera e dasmave po sjell edhe krisma armësh në ahengjet familjare.
Vetëm gjatë 16 gushtit, pesë persona janë arrestuar ose shoqëruar në Polici në raste të ndara, pasi dyshohet se kanë shtënë me armë zjarri në ahengje.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë, raste të tilla janë regjistruar në Gllogoc, Podujevë, Lipjan, Suharekë dhe Vushtrri.
Në fshatin Gllobar të Gllogocit, një person është arrestuar pasi dyshohet se ka shtënë me armë në një aheng. Policia ka sekuestruar një pistoletë me gaz dhe tetë gëzhoja. Me vendim të prokurorit, ai është liruar dhe rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt, raporton Klankosova.tv
Në fshatin Bradash të Podujevës, një tjetër person është shoqëruar në stacionin policor pasi dyshohet se ka shtënë me armë gjatë një ahengu. Janë sekuestruar një pistoletë me gaz, pesë fishekë dhe shtatë gëzhoja. Edhe ky person është liruar dhe rasti vazhdon në procedurë të rregullt.
Të njëjtën ditë, në fshatin Banullë të Lipjanit, një person është arrestuar pasi dyshohet se ka shtënë me armë në aheng. Policia ka sekuestruar një pistoletë me gaz, katër fishekë dhe dy gëzhoja. I dyshuari është liruar me vendim të prokurorit.
Në Suharekë, një person është arrestuar nën dyshimin se ka shtënë me armë zjarri në një aheng familjar. Policia ka konfiskuar pistoletën që dyshohet se është përdorur. Ky person kishte leje për posedim të armës, por me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Rasti i pestë është regjistruar në Vushtrri, ku një person është arrestuar pasi dyshohet se ka shtënë me armë në një aheng. Atij i është sekuestruar një pistoletë me gaz, 12 fishekë dhe tri gëzhoja. Edhe ky është liruar me vendim të prokurorit dhe rasti do të vazhdojë në procedurë të rregullt./Klankosova.tv


