Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) në Ferizaj, ka realizuar një aksion të gjerë policor pas një hetimi disa mujor.
Sipas njoftimit zyrtar, më 28 prill 2026, në koordinim me prokurorinë kompetente dhe në bashkëpunim me njësitë relevante policore, janë kryer kontrolle në tri lokacione të ndryshme, përkatësisht në rajonin e Ferizajt, Gjilanit dhe Prishtinës.
Gjatë këtij operacioni janë arrestuar pesë persona të dyshuar, të gjithë meshkuj kosovarë, të cilët dyshohet se në bashkëpunim mes vete kanë falsifikuar dokumente, duke u paraqitur rrejshëm si pronarë të disa parcelave në një fshat të Ferizajt.
Autoritetet bëjnë të ditur se njëri nga të dyshuarit dyshohet për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa katër të tjerët për veprat penale “falsifikimi i dokumenteve”, “legalizimi i përmbajtjes së rreme” si dhe “blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”.
Gjatë kontrolleve janë sekuestruar dëshmi dhe dokumente të ndryshme, përfshirë edhe materiale fotografike, të cilat do të shërbejnë si prova në procedurën penale.
Të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës dhe, me vendim të prokurorit, janë ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet lidhur me këtë rast janë në vazhdim.


