Tri javë më parë, Shkëlzen Gashi, autor i ekspozitës me shumë pasaktësi “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, komentoi zhvillimet politike në Kosovë dhe veprimet e presidentes Vjosa Osmani.
Gashi tha se pas datës 28 dhjetor, Osmani ka ndryshuar kursin dhe ka filluar të bashkëpunojë ngushtë me Edi Ramën dhe partitë opozitare, si LDK dhe PDK.
Ai theksoi se Osmani ka marrë pjesë në marshin e lirimit të ish-presidentit Thaçi dhe ka kërkuar mbështetje nga Rama, por kjo lëvizje nuk ka dhënë rezultat, pasi ajo nuk ka arritur të sigurojë mbështetje të mjaftueshme për votat e nevojshme.
“Pas 28 dhjetorit Vjosa Osmani ka koketu me Edi Ramën dhe me partitë opozitare, me LDK-në dhe PDK-në, duke marrë pjesë në marshin e lirimit të ish-presidentit Thaçi dhe duke marrë mbështetjen e Edi Ramës, siç duket kjo nuk ka funksionu dhe Vjosa Osmani nuk ka arrit me i siguru votat”, kishte deklaruar Gashi në një intervistë në Ora News dhënë më 5 mars.
Ekspozita e hapur më 24 mars në sheshet e Prishtinës, në përkujtim të masakrave të kryera nga forcat serbe në Kosovë gjatë luftës, me autor Gashin doli të kishte goxha pasaktësi.
Derisa fillimisht u konstatua se të dhënat për masakrën e Burgut të Dubravës kanë gabime, duke u saktësuar se “Prej të vrarëve, 48 figurojnë persona të armatosur shqiptarë…”, mospërputhje me realitetin janë gjetur edhe në së paku dy raste tjera.
Për Masakrën e Mejës, ku sipas të dhënave zyrtare janë ekzekutuar 376 civilë shqiptarë më 27 prill të vitit 1999, në të dhënat e ekspozitës jepen shifra tjera. Aty thuhet se në këtë masakër janë vrarë 349 civilë shqiptarë. Rrjedhimisht, 27 jetë të humbura në këtë masakër të tmerrshme janë fshirë nga lista. /Klankosova.tv


