Chelsea ka zyrtarizuar rinovimin e kontratës me një prej lojtarëve kyç të skuadrës, Moises Caicedo, i cili tashmë do të mbetet në “Stamford Bridge” deri në vitin 2033.
Mesfushori nga Ekuadori, që iu bashkua londinezëve nga Brighton në gusht të vitit 2023, është shndërruar shpejt në një nga shtyllat kryesore të ekipit, duke u vlerësuar si një ndër mesfushorët defensivë më të mirë në botë.
Deri më tani, ai ka regjistruar 140 paraqitje me fanellën e Chelseat, duke luajtur rol kyç në triumfet në Ligën e Konferencës dhe Kupën e Botës për Klube.
Pas nënshkrimit të kontratës së re, Caicedo u shpreh i lumtur për vazhdimin e qëndrimit në klub.
“Jam shumë i lumtur që kam zgjatur kontratën time me Chelsean. Besoj te ky ekip dhe ky klub, dhe e di që po ecim në drejtimin e duhur. Sapo kemi filluar së bashku”.
“Ka ende shumë për të arritur dhe jam shumë i etur të përmirësohem çdo ditë. Dua të fitoj më shumë trofe me Chelsean… ëndrra ime është të bëhem një legjendë e këtij klubi”, deklaroi ai.
Në prag të përfundimit të sezonit të tij të tretë me klubin, 24-vjeçari ka konsoliduar statusin si lider në skuadër, duke u shpallur “Lojtari i Sezonit” dhe “Lojtari i Zgjedhur nga Bashkëlojtarët” për edicionin 2024/25, pasi ndihmoi ekipin të fitojë dy trofe madhorë.
Gjatë këtij sezoni, Caicedo ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit në disa ndeshje, më së fundi në fitoren ndaj Port Vale në çerekfinalen e Kupës së Anglisë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


