Eugen Cakolli nga KDI komentoi zhvillimet e fundit politike në vend, duke thënë se afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit fillon vetëm me konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Cakolli, në emisionin “Edicioni Special” në Klan Kosova, tha se mungesa e vendimmarrjes sot për konstituim është preferencë politike e partisë së parë të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.
“Është e qartë që vendimmarrja e Kuvendit, përkatësisht mungesa e vendimmarrjes, sot ishte rezultat i preferencës politike të partisë që ka dalë e para në zgjedhje… Është e qartë që ka qenë dëshpëruese për të mos thënë keqardhëse që pas konsumimit të 29 nga 30 ditët e mundshme që Kuvendi ka në dispozicion për t’u konstituuar, sot patëm një situatë kur kryetari, një prej deputetëve të LVV-së, doli dhe kërkoi afat shtesë për çështjen e presidentit, ndonëse afati i cili është duke u konsumuar nuk ka të bëjë më fare për presidentin. Pra afati që skadon nesër nuk ka lidhje me presidentin sepse fillimisht për të filluar afati 60 ditor, pra për ta pasur në dispozicion atë periudhën 60 ditore për të diskutuar me partitë, duhet fillimisht të konsituohet Kuvendi”, tha Cakolli nga KDI.


