Eugen Cakolli nga KDI sonte përmes një lidhje direkte në “Edicionin Special” në Klan Kosova ka qenë i ashpër lidhur me atë që ka ndodhur sonte në seancën për presidentin, duke i cilësuar ato si shkelje të rëndë të rendit kushtetues.
Sipas tij, është e papranueshme që deputetë që kanë bërë betimin për të mbrojtur integritetin institucional të Kosovës vetëm pak muaj më parë, të përfshihen në veprime që bien ndesh me Kushtetutën.
“Për mua është e papranueshme që dikush që e kanë dhënë betimin në Kuvend, hiç më larg se disa muaj më parë se do ta respektoj dhe mbroj integritetin kushtetues dhe institucional të Kosovës, sonte të përfshihet në një situatë të shkeljes të pastër kushtetuese, e cila për fare pak ka rrezikuar që të shëndrrohet në një situatë tepër më serioze”, tha ai.
Cakolli ngriti shqetësimin për mundësinë e kalimit në një raund të dytë votimi duke e konsideruar raundin e parë të përfunduar, edhe në mungesë të deputetëve dhe sipas tij, një veprim i tillë do të përbënte dalje të qartë jashtë kornizës kushtetuese
“Sepse kalimi eventual në raundin e dytë, duke konsideruar se është konsumuar raundi edhe pse kanë munguar deputetët, do të ishte padyshim dalje nga kuadri kushtetues dhe hyrja në një terren unë besoj të errët kushtetues, ku pastaj Kushtetuta mund të jetë një lloj norme, apo një akt i cili mund të anashkalohet nga kushdo”, tha ai./Klankosova.tv


