Friday, July 31, 2026
spot_img
HomeLajmeBritania mirëpret raportin e Institutit për Krimet e Luftës në Kosovë

Britania mirëpret raportin e Institutit për Krimet e Luftës në Kosovë

E dërguara speciale e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Karen Pierce, mirëpriti publikimin e raportit të dëshmive nga Instituti për Krimet e Luftës në Kosovë.

Deklarimin e saj e ka përcjellë Ambasada britanike në Kosovë, ku thuhet se gjetjet e institutit përbëjnë “kontribut të rëndësishëm në vendosjen e fakteve dhe sigurimin e llogaridhënies për më shumë se 13 mijë persona që humbën jetën ose u zhdukën gjatë konfliktit në Kosovë, si dhe për shumë të tjerë që u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre dhe pësuan humbje, lëndime apo trauma”.

“Ngjarjet tragjike në Kosovë janë ndër periudhat më të errëta të historisë së afërt të Evropës dhe ne duhet të nxjerrim mësime prej tyre. Paqja e qëndrueshme kërkon që të gjitha komunitetet të përballen me ndershmëri me të kaluarën dhe të punojnë drejt së vërtetës, pajtimit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë”, citohet të ketë thënë Pierce.

Ajo theksoi se edhe pas dekadash nga përfundimi i vuajtjeve njerëzore në shkallë të gjerë, Mbretëria e Bashkuar mbetet e vendosur në mbështetjen e saj për paqe dhe siguri të qëndrueshme në Kosovë dhe në rajonin më të gjerë.

Instituti për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë ka publikuar të mërkurën listën preliminare me emrat e 13.227 të vrarëve, të zhdukurve me dhunë dhe të vdekurve si pasojë e luftës.

Në listë janë përfshirë viktimat që kanë lindur, kanë jetuar, ose kanë pasur vendbanim në territorin e Kosovës në kohën e luftës, që kanë pësuar plagë vdekjeprurëse, ose janë zhdukur në territorin e Kosovës në rrethana të ndërlidhura drejtpërdrejt me luftën, kanë humbur jetën si pasojë e drejtpërdrejtë e plagëve të marra gjatë luftës dhe që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me ngjarjet e luftës në Kosovë.

Nga të dhënat e prezantuara nga Instituti për Krime Lufte, 11.408 persona kanë humbur jetën si rezultat i drejtpërdrejtë i veprimeve të luftës vrasje, ekzekutime, masakra, bombardime dhe forma të tjera të dhunës, prej të cilëve 1047 janë fëmijë.

Nga lufta në Kosovë e deri 27 vjet më pas rezultojnë të zhdukur me dhunë 1578 persona, për të cilët ekzistojnë prova se zhdukja lidhet me rrethanat e luftës. Për shkak të plagëve të marra ose pasojave të drejtpërdrejta të luftës, kanë vdekur 241 persona, gjatë ose pas përfundimit të luftës.

Raporti përmban listën preliminare me viktimat në periudhën kohore 1 janar 1998-20 qershor 1999, dhe periudhën e pasluftës, prej 21 qershorit 1999 deri në 31 dhjetor 2000. /Klankosova.tv

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT